Qytetarë pro dhe kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në kryeqytet sot kanë protestuar në lokacionin ku kanë filluar punimet për ndërtimin e xhamisë. Protestuesit që shpreheshin kundër ndërtimit të xhamisë kërkonin që të ndalohen këto punime, me pretekstin se xhamia është politike dhe se do t’i bëjë dëm Kosovës. Ata që kishin dalë për ta përkrahur ndërtimin e xhamisë u shprehën se janë të gatshëm të japin edhe jetën, që kjo xhami të ndërtohet. E organizatori i protestës, Binak Gashi, nuk u shfaq fare në protestën që e organizoi vetë, raporton Gazeta Express
Megjithëse, protesta ishte thirrur për të kundërshtuar ndërtimin e xhamisë, vëmendjen morën ata që ishin pro ndërtimit të këtij objekti fetar.
Madje, ata thanë se nuk do të kursejnë edhe jetën, për të mbrojtur ndërtimin e xhamisë.
Erdhi para organizatorëve të protestës kundër ndërtimit të xhamisë. Sadat Islami nga Stanovci tha se para se të vinte në lokacionin ku kanë filluar ndërtimet për Xhaminë e Madhe, është përshëndetur edhe me gruan e fëmijët, pasi është i gatshëm edhe të vdesë, në përkrahje të xhamisë.

“Sot kam ardhë qetu, përndryshe jam i përgatit me vdekë. Nuk kam ardhë me shit fall, po boll është boll, jam përshëndetë me grua edhe me fëmijë, kam ardhë për këtë punë. Unë rri këtu, u kry ky muhabet”, tha Islami.
Ai tha se është edhe kundër kryeimamit të Kosovës, Naim Tërnava, për të cilin tha se nuk po i mbron të drejtat e myslimanëve.
“Është ndërtu Katedralja, shkollë u prish, është çështje politike, u bë Ambasada e Amerikës, pse nuk e bonën në formë të kullave shqiptare, masi po thirrën në shqiptarizëm, unë qetu shqiptarë s’po shoh, se shqiptarët janë me mustaqe dhe me plis, dhe gratë me zaviaqa dhe kule”, ka thënë ai. Kjo xhami ka me u maru, qe s’di sa herë ndalet. Unë jam edhe kundër Naim Tërnavës, ai nuk i mbron të drejtat e myslimanëve, është cenuar e drejta e shamisë, e drejta e xhamisë, cenohen shumë të drejta dhe s’i merr parasysh”, ka thënë Islami.
E përkrahje Sadatit i erdhi edhe nga një besimtar tjetër mysliman që ishte veshur me rroba në të cilat kishte vendosur emblemën e UÇK-së.

Blerim Ejupi tha se lufta e UÇK’së është bërë për t’i mbrojtur vlerat e Kosovës, e që njëra ndër to është erdhe feja islame.
“Jemi mbi 85 për qind myslimanë, është e drejtë e jona elementare t’i kemi objektet fetare. Edhe besimet tjera me i pasë monumentet e tyre, kjo garantohet edhe në Kushtetutën e Kosovës. Nuk e pata lehtë me e veshë prapë emblemën e me dalë këtu me protestu, ne luftën e kemi bë me i mbrojtë vlerat e këtij populli, e një ndër to është edhe feja islame”, ka thënë Ejupi.
Krejt ndryshe nga Sadati e Blerimi mendojnë banorët e lagjes “Dardania” në Prishtinë, aty ku edhe kanë filluar punimet për ndërtimin e xhamisë.

Një nga protestuesit që kishte dalë për të kundërshtuar ndërtimin e xhamisë, tha se Prishtina nuk ka nevojë për më shumë xhami.
Ai deklaroi se ndërtimi i kësaj xhamie do t’i hapë rrugë Serbisë për ta aktivizuar kishën ortodokse në oborrin e kampusit universitar.
“Xhamia po ndërtohet mbi baza politike, jo se ka nevojë Prishtina për xhami ma shumë. Kjo xhami do të jetë shkas që nesër apo pasnesër kisha ortodokse që ndodhet pranë Fakultetit Filologjik, do të aktivizohet. I bëj ftesë Bashkësisë Islame të Kosovës, kryetarit të Komunës së Prishtinës që ta ndalojnë, të mos e ndërtojnë sepse Serbia do ta aktivizojë kishën sllave”, ka thënë një protestues.
Përfaqësuesja e banorëve të lagjes “Dardania” tha se kjo lagje ka nevojë për jetë kulturore, ndërtim të çerdheve e parqeve, e jo për xhami.
“Dardania ka nevojë për amfiteatër, për kinema, ne kemi kërkuar që këtu të ndërtohet shtëpi e pleqve. Këtu nuk ka nevojë të ndërtohet xhami, kjo është xhami politike. Dardania ka nevojë për objekte kulturore, nëse ndërtohet xhamia, unë kam me propozu që Dardanisë t’i ndërrohet emri, e t’i bëhet Arabi apo Turqi. Unë kam me e tubu krejt Dardaninë, që të mos ndërtohet xhamia. Unë i kam thënë edhe Isa Mustafës kur ka qenë kryeministër, nuk duam xhami, duam shkolla e jetë kulturore. Dardania e ka vetëm një çerdhe”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, organizatori i kësaj proteste, Binak Gashi, ish-komandat i UÇK’së, nuk mori pjesë në protestën që e organizoi vetë.
Protestuesit thanë se ai nuk erdhi për shkak të pandemisë, dhe kishte kërkuar që të mos mblidhen shumë persona.
Në njoftimin që kishte bërë për organizimin e protestës, Gashi kishte kritikuar faktin se xhamia është financuar nga Turqia, derisa ka thënë se Kosova nuk është krahinë Turqisë por “histori e lirisë dqë nga koha pellazge”.
“Fillimi i punimeve për këtë xhami ka ndodhur më 16 korrik, si koicidencë e përvjetorit të puçit ushtarak në Turqi, kjo tregon atak direkt kundër Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë veterani i UÇK’së.
Ndërkohë, punimet për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, gurthemeli i së cilës është vendosur para 8 vjetësh, kanë nisur të mërkurën e 15 korrikut.
Për fillimin e punimeve ka njoftuar edhe Bashkësia Islame e Kosovës, përmes një postimi në Facebook.
“Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka përcjellur për së afërmi fillimin e punëve për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë. Ai uroj të gjithë besimtarët për fillimin e ndërtimit të kësaj xhamie mëse të nevojshme dhe të shumëpritur për gjithë besimtarët”, thuhet në njoftimin e BIK’ut.
Xhamia qendrore lokacioni i të cilës është në lagjen “Dardania” afër objektit të Telekomit të Kosovës, ishte bërë temë diskutimi mes Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës për lëshimin e lejes për fillimin e ndërtimeve.
Ndërtimit të kësaj xhamie i kishin paraprirë një varg protestash nga komuniteti mysliman, të cilit kishin kërkuar që ky objekt kulti të ndërtohet përballë Katedrales “Nënë Tereza” në oborrin e fakultetit Filologjik.
Mirëpo pas konsultave ndërmjet kryetarit të Prishtinës dhe kryetrarit të Bashkësisë islame të Kosovës është arritur konsensus që xhamia të ndërtohet në lagjen Ulpiana.
Kjo xhami do të financohet dhe do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke, ndërsa kostoja e saj vlerësohet të jetë prej 35 deri në 40 milionë euro.